Pakënaqësi dhe hetim të padrejtë për çështjen e Gërdecit ka...
shprehur ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu dy ditë më parë në studion e Zërit të Amerikës.
“Jo absolutisht nuk mendoj se është çështje e mbyllur. Është një çështje që nuk është hetuar drejt për mendimin tim, dhe nuk është çështje e përfunduar. Sepse nuk besoj se ka pasur një hetim të drejtë të kësaj çështjeje. Në pozicionin tim si ministër kam marrë të gjitha përgjegjësitë e mia morale në raport me këtë çështje. Kam pranuar çdo vendim të gjykatës, pa i diskutuar ndonjëherë ato, sepse besoj se ky duhet të jetë pozicioni i çdo qytetari dhe shtetari, të mos hyjë në vendimet e gjykatave”, sqaron ai.
I pyetur nëse është i shqetësuar po të rihapet çështja ai përgjigjet se: “Unë nuk jam as drejtues prokurorie, as drejtor gjykate. Kështu që do të ishte e tepërt që të pyetesha unë për një çështje që nuk është në dorën time apo në gjykimin tim. Gjykata, ligji ka vepruar sipas atyre standardeve dhe kushteve që ka pasur ligji. Ajo që unë besoj duhet të jetë e rëndësishme: që të jepet drejtësia, por të dalë e vërteta deri në fund”.
Në një kthim të vëmendjes në kohën kur ishte Ministër Mbrojtjeje, ai sjell në kujtesë një këshillë të dhënë kolegut të tij Gazmend Oketës: “Duke u marrë me të madhen, nuk duhet harruar më e vogla. Sepse në të voglën shpesh qëndrojnë edhe problemet më të mëdha”, pohon ai duke theksuar se e gjithë puna e tij ishte e fokusuar në anëtarësimin në NATO.