20 May 2012
Lajme flash

Kadare në librin e radhës "Krimet në Ballkan" pohon se shqiptarët duan t'i mbajnë larg nga Evropa

  • PDF

Vetë autori e quan një libërth. Një hyrje e shkruar gjatë muajve të këtij viti mes Parisit dhe Tiranës, shpalos ...

edhe qëllimin e shkrimit të këtij libri. Është pikërisht heshtja ndaj dramës së Kosovës dhe krimeve serbe të ndodhura atje, që në rrjedhë të historisë përbëjnë krimin më të freskët në Ballkan.
 Shkrimtari shqetësohet për një tjetër krim që ndihmon të parin, heshtjen e shqiptare. Kjo hyrje është një thirrje dhe njëkohësisht një akuzë për të vetët. “Dymbëdhjetë vite pas çlirimit të Kosovës, një “omerta” e palejueshme ka lënë nën perden e mjegullës krimet e lemerishme serbe. Kanë heshtur për to pikërisht ata që e kishin për detyrë ta ngrinin zërin deri në kupë të qiellit: kronistë, akademikë, historianë, politikanë e publicistë nga të dyja anët e kufirit.

Opinioni publik europian dhe ai botëror, pikërisht ai që i kishte nxitur qeveritë dhe ushtritë e vendeve të tyre të ngrinin avionë për të bombarduar Serbinë, pas mbarimit të luftës e pritën me padurim dëshminë shqiptare. Ajo dëshmi vononte dhe kjo ishte me të vërtetë dramatike. Nuk ishte thjesht një vonesë, ishte më shumë se kaq”, shkruan Kadare në faqet e para të librit. Në faqet që pasojnë ai i mëshon veçanërisht krimit të madh të serbëve, atë të përdhunimit të mijëra grave, vrasjes së tyre dhe të foshnjave. E quan të pafalshme heshtjen ndaj tmerrit më të madh të Kosovës, që do të ndiqej nga një tjetër tmerr: atë të mosdëshmimit.

Kadare i lidh pashmangshmërisht me këtë fakt akuzat e fundit të bëra ndaj shqiptarëve, fillimisht nga Carla del Ponte e pastaj edhe nga Dick Marty. I rikthehet tezës së librit “Mosmarrëveshje”, botuar vetëm pak muaj më parë, ku sipas shkrimtarit e keqja e shqiptarëve u vjen nga vetja. Kadare flet sërish për klane, për rimohues, për një Shqipëri e këtë radhë edhe Kosovë të shitur. “Ndërkaq të tjera pasione po shfaqeshin në Kosovën e porsadalë në dritë. Ndër to, ishin tri etje të pashpallura ndonjëherë kaq babëzisht: etja për pushtet, ajo për para dhe, e fundit, por jo më e pakta, etja për lavdi.

Shqipëria fqinje, ndonëse shtet gati shekullor, dhe me arsye të ngjashme për t’iu ngazëllyer lirisë, nuk arriti t’i rrezatojë diçka më të mirë shtetit të ri shqiptar, ngaqë vetë vuante nga e njëjta lëngatë”, shkruan Kadare. Ky libërth, siç e quan autori, vazhdon me pjesën e letrave drejtuar personaliteteve botërore për dramën e Kosovës. Ato kapin një periudhë çerekshekullore: 1987–2011.
Botohet për herë të parë letra e shumëkomentuar që shkrimtari serb Vuk Drashkoviç i drejton Kadaresë më 18 qershor 1987, letër që shkrimtari i ka dërguar Papa Gjon Palit II më 15 shtator 1991, letra e dytë që Kadare i shkruan Presidentit francez Jacques Chirac më 12 dhjetor 2001 dhe përgjigjja që ministri i Punëve të Jashtme franceze Herve De Charette i kthen shkrimtarit më 21 maj 1997. Pjesë e këtij libri është edhe një shkrim që Ismail Kadare ka botuar në “Koha ditore” dhe “Courrier International”, shkurt 1999 nën titullin “Kapardisja shqiptare; një portret në grup i politikanëve shqiptarë”.

Albnow edhe në Facebook - Bëj like

Vizitore online

We have 113 guests online